Të nderuar!

Vizita e Shtëpisë së Allahut – Qabesë është një përjetim i veçantë dhe i paharruar për besimtarin.Është udhëtimi më mbresëlënës dhe më me vlerë që njeriu bën në jetën e tij, sepse, nëse në udhëtime tjera ka nderin të jetë mysafir i ndonjë mbreti, presidenti, kryeministri, në këtë udhëtim është mysafir i Allahut; nëse në udhëtime tjera mund të vizitojë vende të ndryshme, në këtë udhëtim viziton Mekkën, vendin më të dashur tek Allahu; nëse në udhëtime tjera viziton objekte të ndryshme kulturore, në këtë udhëtim viziton Qabenë, shtëpinë e parë të vënë për njerëzit në tokë, viziton xhaminë e Pejgamberit (alejhiselam), viziton vendet ku ka lindur, jetuar e predikuar Pejgamberi Muhammed (alejhiselam).

Pra, ajo që e bën të veçantë këtë udhëtim është karakteri i tij shpirtëror.

Të dashur!

Umreja është një prej adhurimeve për të cilën kanë folur Kurani dhe Sunneti.

Në Kur’an, Allahu i Madhëruar urdhëron:
“Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut…” [El Bekare: 196.]
Ndërsa në hadithet pejgamberike, Umreja është trajtuar në shumë tekste, prej të cilave edhe do të mundohemi të zbulojmë rëndësinë dhe vlerën që ka si adhurim.
Umreja është një vizitë me karakter edukativ, që mësyen të pastrojë shpirtin, të korrigjojë gabimet, të gdhend moralin dhe të kultivojë humanizmin.

 Këto mësime dhe urtësi fshihen në ritualet e kryerjes së këtij adhurimi.

P.Sh: Besimtari që kryen Umren, fillimisht duhet të ndalojë në mikat që të përkujtojë se Allahu ia ka mundësuar ta vizitojë në shtëpinë e Tij, andaj përgatitet paraprakisht shpirtërisht për këtë vizitë. Po kështu, kjo ndalesë ku vishen rrobat e bardha të ihramit, ia kujton ndalesën e fundit të dynjasë, ku i hiqen rrobat e zakonshme për t’iu veshur qefini dhe për të dalë më pas tek Allahu për të dhënë llogari.

Fillimi i kësaj ceremonie, respektivisht bërja e nijetit duke shqiptuar telbijjen (Të përgjigjem o Allahu im me Umre, të përgjigjem! Të përgjigjem, Ti nuk ke shok, të përgjigjem! Ty të takon çdo lavdërim, mirësi dhe pushtet, në këtë Ti nuk ke shok!) besimtarit ia kujton nevojën e ripërtëritjes së besimit duke iu përkushtuar plotësisht vetëm Allahut. Kryerja e tavafit e bën ta përkujtojë madhështinë e Krijuesit dhe nënshtrimin ndaj Tij, sepse, siç shpjegohet, tavafi është caktuar për ta përkujtuar Allahun. Prekja e gurit të zi (sipas mundësisë), na përkujton rrezikun e rënies në mëkate në njërën anë dhe shfrytëzimin e mundësive për pendim në këto vende të shenjta në anën tjetër. Ecja ndërmjet safasë dhe merves na përkujton nevojën e angazhimit të sinqertë për të fituar kënaqësinë dhe mëshirën e Allahut.


Të respektuar vëllezër e motra!

Rituali i Umres fsheh në vete shpërblime të rëndësishme.

 Ai që kryen Umren është mysafir i Allahut. Muhammedi (alejhiselam) ka thënë:

« Luftëtari në rrugën e Allahut, haxhiu dhe umrebërësi janë delegacion i Allahut; i ftoi dhe iu përgjigjën, e luten dhe ua plotësoi lutjen.» (Transmeton Ibn Maxhe.) Umreja është një adhurim me efekt të jashtëzakonshëm në pastrimin nga mëkatet. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Profeti Muhammed (alejhiselam) ka thënë: «Umreja deri në umre shlyen mëkatet ndërmjet tyre ndërsa për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.» Në një hadith tjetër qëndron:

«Kush bën tavaf rreth Qabesë shtatë herë, nuk ndodhë ta bëjë një hap e të mos ia heq Allahu një mëkat, t’ia shkruajë një të mirë dhe t’ia rritë një gradë.» (Transmeton Nesaiu.) Bërja e tavafit dhe falja më pas e dy rekateve kanë shpërblim të lirimit të një robi. Në hadith qëndron: «Kush bën tavaf në këtë shtëpi (Qabenë) shtatë herë, pastaj i falë dy rekate, i llogaritet sikur ta ketë liruar një rob.» (Transmeton Ibn Maxhe.) Vlera e namazit që kryhet gjatë këtij udhëtimi është e madhe.

 Namazi ka shpërblim të shumëfishuar.

 Muhammedi (alejhiselam) ka thënë: «Namazi në xhaminë time është më i vlefshëm se njëmijë namaze në xhamitë tjera, përveç Qabesë, namazi në të cilën është më i vlefshëm se njëqindmijë namaze në xhamitë tjera.» (Transmeton Imam Ahmedi.) Puthja e gurit të zi është një akt simbolik por me rëndësi të veçantë.

Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) transmeton se Profeti Muhammed (alejhiselam) ka thënë: «Guri i zi…do të dëshmon në Ditën e Kiametit për çdo kë që e ka puthur (apo prekur).» (Transmeton Tirmidhiu.)

Pirja e ujit të zemzemit është një bekim, ngase siç transmeton Imam Muslimi,

ai është ujë i bekuar që shëron. Edhe në një hadith tjetër vërtetohet ky efekt shërues i tij: «Uji i zemzemit shërben për çfarëdo që bëhet nijet pirja e tij.» (Transmeton Ibn Maxhe.)

Duke qenë se kryerja e këtyre obligimeve kanë edhe detyrime materiale, atëherë në tekstet fetare është shpjeguar se Haxhi dhe Umreja largojnë varfërinë dhe se për këtë shpenzim që robi bën ka shpërblim tek Allahu. Thotë Muhammedi (alejhiselam): «Kryeni Haxhin dhe Umren ngjitas ose njërin pas tjetrit, ngase ato zhdukin varfërinë dhe mëkatet ashtu sikur gjyryku largon ndryshkun e hekurit, arit dhe argjendit, ndërsa për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit.» (Transmeton Tirmidhiu.)

Zhdukja e varfërisë është thënë të jetë konkrete, pra ai që kryen Haxhin dhe Umren, ka mundësi të pasurohet, ose me zhdukje të varfërisë nënkuptohet varfëria e shpirt, e cila është më e rëndësishme se ajo e xhepit.

Krahas nevojës për të pastruar shpirtin, për të kthjellur mendjen, për të gdhendur moralin, për tu pastruar nga mëkatet, Haxhi dhe Umreja janë një vizitë që kryhen edhe në shenjë mallëngjimi e falënderimi ndaj Allahut. Në hadithin e transmetuar nga Ebu Seid El Hudri (radijAllahu anhu) qëndron se Profeti Muhammed (alejhiselam) ka thënë: «Ka thënë Allahu: I privuar është ai rob që i kam dhënë shëndet dhe pasuri ndërsa i kalojnë pesë vite e nuk më viziton!» (Transmeton Ibn Maxhe.)
Allahu na mundësoftë ta vizitojmë shtëpinë e Tij, të përfitojmë nga mirësitë e Tij, dhe të fisnikërohemi me mësimet dhe porositë madhështore të këtyre vizitave shpirtërore!

I.GJ