“Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e Shtëpisë (Qabes)…”
Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë Zotit të vetëm të gjithësisë, All-llahut të Madhëruar, i Cili urdhëron në suren “El-Haxhxh”: “S’ka dyshim se ata të cilët nuk besuan vazhdojnë të pengojnë prej rrugës së All-llahut, edhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes), të cilën Ne e bëmë të barabartë për njerëzit, qofshin vendas ose të ardhur, dhe kushdo që të përpiqet të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë gjynah, Ne kemi për t’ua shijuar një dënim të dhimbshëm”.
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, më të dashurit e më të shtrenjtit, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s.), i cili porosiste: “Pasojeni haxhin dhe umren, sepse pasimi i tyre e zhduk varfërinë dhe gjynahet, siç farkëtimi ndryshkun e hekurit!”.
Të dashur dhe të shtrenjtë besimtarë,
Vazhdojmë të falënderojmë All-llahun e Madhëruar për mirësinë e madhe që na dhuroi, duke na bërë të përjetojmë ato mrekulli të panumërta në atmosferën e begatë të muajit Ramazan, që i la vendin këtij muaji të begatë, Shevvalit përcjellës.
Kaluam ditë dhe netë, ku u mbush zemra me kënaqësi e bekim, ku përjetimet ishin të jashtëzakonshme, ku u gëzua i madh dhe i vogël, i varfër dhe i pasur, i largët dhe i afërt, përveç atij që nuk desh të hynte në këtë lulishte të garantuar të bekimeve hyjnore!
Tashmë, dalëngadalë po bëhemi gati të hyjmë në atmosferën e një adhurimi tjetër të mrekullueshëm, të cilin shumë prej nesh e kemi realizuar, falë mirësisë dhe mbarësisë së All-llahut, sikurse të shumtë janë ata që presin me padurim t’i jepët mundësia për të dëshmuar gatishmërinë e tyre për thirrur me zemër e me tërë zërin e tyre: “Lebbejkall-llahumme lebbejke! Lebbejke la sherike leke lebbejke! Innel-hamde ven-ni’mete leke vel-mulk la sherike leke!”.
Haxhi me krejt madhështinë e tij na shfaqet horizonteve, duke na ftuar të lexojmë me qetësi dhe thellim ajetet e sures që mban emrin e këtij adhurimi, për të kuptuar mësime dhe udhëzime të mëdha, që na shërbejnë për krejt jetën dhe dëshmimin tonë në të, si rrugëtues besnikë drejt realizmit të asaj dëshmie të madhe e të shtrenjtë, që të veshur me rrobat e bardha të ihramit, nuk e heqim nga goja; “Lebbejke…”!
Ajeti me të cilin sapo nisa hytben e kësaj jave, është edhe fillimi i një cikli mësimesh që na shërben Kur’ani Famëlartë, për të na marrë për dore drejt kuptimeve të Haxhit dhe veshjen madhështore me dashuri, mëshirë, falje e bekim, që i ka dhuruar All-llahu i Madhëruar këtij adhurimi dhe vepruesve të tij.
Fillimisht, na tregohet se femohuesit dhe kundërshtarët e fesë, që si duket do të jenë deri sa të ketë jetë në këtë botë, do të vazhdojnë të pengojnë besimtarët dhe njerëzit drejt rrugës së All-llahut, drejt çdo gjëje që shpie drejt kënaqësisë së Tij, drejt çdo gjëje që e afron njeriun me All-llahun dhe, nuk do ndalemi shumë në këtë detaj, sepse argumentet që e faktojnë këtë realitet, po na bëhen përherë e më të qartë në ditët e sotme!
Por, nëse lexojmë me vëmendje, Zoti i gjithësisë ka lidhur së bashku këto dy fjalë: “rrugës së All-llahut, edhe prej xhamisë së shenjtë (Qabes)”, si për t’i thënë besimtarëve, se: “Sikur Xhamia e Shenjtë (Mesxhidi Harami), të kompenson për çdo gjë tjetër që bën në rrugën e All-llahut. Ashtu sikurse krejt veprat e mira, si kërkimi i dijes, mësimi i saj, shpenzimi i pasurisë, krejt adhurimet, zekati, agjërimi, etj. janë rrugë drejt All-llahut, edhe Xhamia e Shenjtë është rrugë drejt All-llahut!”.
Pastaj na dëshmon se Qabja e Madhnueshme është e krejt besimtarëve, njësoj si vendlindja që është e shtrenjtë dhe e dashur, e pamohueshme dhe sahertë largohemi prej san a merr malli për erë e saj, për ujin, për tokën, për ajrin, për njerëzit; poashtu Qabja e Madhnueshme është e dashur për zemrën, na merr malli për të, mallëngjehemi saherë përmendet, na e do xhani ajrin e saj, flladet e ngrohta dhe sekretet e dashnisë që ndjehen kur je atje!
Prandaj thotë: “Ne e bëmë të barabartë për njerëzit, qofshin vendas ose të ardhur”, sepse: “Kudo që të shkosh, nuk të shqitet ndjesia se je në këtë apo atë vend por, kur ti hyn në Qaben e Madhnueshme, nuk ndjen më se je në Arabinë Saudite, por ndjen thellë se ke hyrë në Shtëpinë e All-llahut… Kjo Shtëpi është e të gjithëve!”.
Kështu që, asnjë gjynah nuk lejohet në atë vend! Asnjë humbje kohe, asnjë thashethem, asnjë ligësi, asnjë dëmtim ndaj vetes, tjetrit, kafshës, insektit, bimës e çdogjëje tjetër!
“Ai është vend i pastër vetëm për adhurim, një vend që i kujton njerëzve jetën e përtejme dhe takimin me Zotin e botëve! … Është Shtëpi e shenjtë, në muaj të shenjtë, All-llahu e ka quajtur të shenjtë; sepse çdo e keqe e lëndim ndalohet në atë vend, deri edhe gjuetia, që diku tjetër është e lejuar… Prandaj, kushdo që hyn në atë vend është i sigurtë!…”.
Të dashur dhe të shtrenjtë,
Ajeti vijues na mëson për ca të vërteta historike dhe shpirtërore të jashtëzakonshme. All-llahu i Madhëruar urdhëron:
“Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e Shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruash Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tavaf), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde”.
All-llahu ekber, për këtë mirësi të madhe!
Zoti i gjithësisë, për hatrin tim dhe tuajin, për hatrin e krejt besimtarëve të Tij, deri në kiamet, ka dërguar halilin e Tij, Hz. Ibrahimin (a.s.), që të rindërtojë Shtëpinë e Tij, ta pastrojë atë dhe ta bëjë gati për ata që e mësyjnë për tavaf, adhurim e namaz, për lutje e adhurim!
Si për të na thënë, sot e mot se, ky vend është vend i pastër; ajka e të dërguarve janë përkujdesur për të, aty është era e tyre, gjurma dhe dashnia e tyre! Aty, kur të hyni me krye për tokë, ndjeni shërbimin e Hz. Ibrahimit, punën e palodhshme të Hz. Ismailit, sakrificën dhe thirrjene Hz. Muhammedit (alejhi selam), pastaj ngrijeni kokën me përulje e dashni, vështroni në zemër të Qabes së Madhnueshme, mbushuni me frymë dhe thirrni me krejt qenien tuaj: All-llaaah..!
Madhërojeni dhe falënderojeni pa masë, lutjuni dhe kërkoni prej Tij se, duaja juaj në atë moment është lutje që nuk kthehet!
“Zoti ynë, për një urtësi shumë të madhe, e vendosi Qaben e Madhnueshme në një luginë të thatë e të shkretë, pa gjelbërim, që të mos e vizitojë veçse haxhiu! Sepse, sikur të ishte në një luginë të gjelbërt, me klimë të butë, me liqene marramendëse e male të gjelbëruara, atë do ta vizitonin haxhilerë e turistë, por jo..! Ai që shkon në atë vend me sinqeritet të madh, thotë:
“Nuk kam shijuar në jetën time bekim e lumturi më të madhe sesa kënaqësia e e përjetuar në haxh dhe Umre”.M.S
Comment (0)